• A-
  • A
  • A+
E enjte, 20 Shtator 2018, 

Kurti: Vuçiq në Mitrovicë tregoi qartë se Serbia nuk është për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore

Kurti: Vuçiq në Mitrovicë tregoi qartë se Serbia nuk është për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore

Prishtinë, 12 shtator 2018 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, priti sot në takim Ambasadorin e Francës, Didier Shaber, ku diskutuan për situatën politike në vend, duke u ndalur në veçanti te dialogu Kosovë - Serbi.

Kryetari Kurti e njoftoi Ambasadorin Shaber për qëndrimin e Lëvizjes kundrejt dialogut, duke thënë se një president që negocion pa platformë e pa mandat është i vetëm dhe nuk ka mbështetje për lojën e tij të rrezikshme. Për t’i përfshirë të tjerët në aventurën e tij, Presidenti Thaçi njëherë u mundua ta përdor si karrem ulësen për Kosovën në OKB, kurse tash po përpiqet që përsëri si karrem ta përdor rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Më tej Kurti theksoi, se njohja e pavarësisë së Kosovës, reciprociteti i të drejtave në të dy vendet dhe ballafaqimi me të kaluarën është formula e cila siguron paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.

"Ne duhet të flasim dhe të punojmë për të drejtat e qytetarëve serbë në Republikë, e jo për pazare të presidentëve autoritarë me territore. Për marrëdhënie të mira fqinjësore Serbia duhet të ndryshojë shumë. Fjalimi i Vuçiqit në Mitrovicë dëshmon pikërisht të kundërtën", theksoi ai.

Ambasadori Shaber nënvizoi përkushtimin e Francës për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në problemet e tyre të ndërsjella në rrugën evropiane, e veçanërisht Kosovën, duke u interesuar sidomos për reformën në sistemin e drejtësisë. Palët u dakorduan për kontakte të shpeshta e takime të vazhdueshme. mb/16:43

###

Të gjitha të drejtaj janë të mbrojtura.Ky material nuk mund të deponohet, botohet, transmetohet, korjohet dhe sërish të distribuohet në çfarëdolloj forme, pa leje me shkrim nga Ajencia Informative e Maqedonisë.



NUK KA LAJME TË NDËRLIDHURA