• A-
  • A
  • A+
E hënë, 24 Qershor 2018, 

Vazhdon seria pozitive e Milanit, fiton ndaj Sampdorias

Vazhdon seria pozitive e Milanit, fiton ndaj Sampdorias

Milano, 19 shkurt 2018 (MIA) - Me rezultat prej 1-0, Milani e ka mposhtur Sampdorian në San Siro, në ndeshjen e javës së 25-të në kampionatin italian.

Vendasit, siç transmeton Telegrafi, patën mundësi të kalonin në epërsi në minutat e para të takimit, mirëpo dështuan të realizonin nga pika e bardhë.

Nikola Muru e preku topin me dorë në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti. Rikardo Rodriguez e mori përgjegjësinë, mirëpo Emiliano Viviano ia mohoi golin.

Por, nuk zgjati shumë dhe nikoqirët e zhbllokuan rezultatin. Pas një aksioni të organizuar mirë nga Rosonerët, Giakomo Bonaventura e dërgoi topin në rrjetë (13′).

Në fund të pjesës së parë, Leonardo Bonuci arriti të shënonte, mirëpo goli u anulua pas konsultimit të VAR-it.

Të zgjedhurit e Gattusos vazhduan të luanin më mirë edhe në pjesën e dytë, ndërsa dy raste të mira i pati Hakan Calhanoglu dhe një tjetër Davide Kalabria, por Viviano nuk pranoi gola të tjerë.

Milani mban vendin e shtatë në tabelë me 41 pikë pas 25 javësh, nga 12 fitore, pesë barazime dhe tetë humbje.

Pikë të barabarta me kuqezinjtë, por në një vend më lartë në tabelë pozicionohet Sampdoria që ka golaverazh më të mirë.

Në xhiron e ardhshme, Rosonerët janë mysafirë të Romës në Stadiumin Olimpiko, ndërsa Sampdoria luan në shtëpi kundër Udineses. sn/mp/09:16

###

Të gjitha të drejtaj janë të mbrojtura.Ky material nuk mund të deponohet, botohet, transmetohet, korjohet dhe sërish të distribuohet në çfarëdolloj forme, pa leje me shkrim nga Ajencia Informative e Maqedonisë.